Shko te përmbajtja
Instituti Horizonti
BESIMI I EHLI SUNNETIT NË KADER (Hulumtimi i dytë)
Akide

11 tetor 2026

BESIMI I EHLI SUNNETIT NË KADER (Hulumtimi i dytë)

Prof. Dr. Ibrahim bin Amir Er-Ruhejli

Ky hulumtim trajton katër shkallët themelore të besimit në kader: diturinë, shkrimin, vullnetin dhe krijimin. Allahu i Lartësuar ka ditur gjithçka para se të ndodhë, e ka shkruar çdo gjë në Levhi Mahfudh, asgjë nuk ndodh jashtë vullnetit të Tij dhe Ai është Krijuesi i çdo gjëje. Përmes argumenteve nga Kurani, Suneti dhe thënieve të dijetarëve, hulumtimi sqaron se besimi në kader nuk e përjashton përpjekjen dhe përgjegjësinë e njeriut. Përkundrazi, besimtari duhet të veprojë, të marrë shkaqet dhe të mbështetet tek Allahu, duke besuar në diturinë, urtësinë dhe caktimin e Tij.

HULUMTIMI I DYTË

SHKALLËT E KADERIT DHE ARGUMENTET E TYRE

Imam Ibnul Kajjimi thekson se shkallët e kaderit janë katër dhe se kush nuk beson në to, nuk beson as në kader. (1)

Ato janë:

  1. Dituria e Allahut të Lartësuar për gjërat para se ato të ekzistojnë.
  2. Shkrimi i tyre, me urdhrin e Tij, para se ato të ekzistojnë.
  3. Vullneti i Tij për ekzistimin e këtyre gjërave.
  4. Krijimi i gjërave prej Tij.

Shkalla e parë: Dituria e mëparshme

Kjo shkallë nënkupton besimin në diturinë e Allahut, e cila përfshin çdo gjë: ato që ekzistojnë dhe ato që nuk ekzistojnë, ato që janë të mundshme dhe ato që janë të pamundshme. Kjo dituri përfshin çfarë ka qenë, çfarë është dhe çfarë do të jetë, si dhe atë që nuk ka ndodhur, por që, sikur të ndodhte, Ai e di se si do të ishte.

Allahu, para se t'i krijonte krijesat, e ka ditur se çfarë do të veprojnë ato. Ai i ka ditur furnizimet, afatet e jetës, gjendjet dhe veprimet e tyre në çdo situatë: në lëvizje apo në qetësi, në pikëllim apo në gëzim. Gjithashtu, Ai e ka ditur se kush prej tyre do të jetë banor i Xhenetit dhe kush banor i Xhehenemit, madje para se t'i krijonte ata dhe para se të krijonte Xhenetin dhe Zjarrin.

Ai e di deri në hollësi të voglën dhe të madhen, të shumtën dhe të paktën, të jashtmen dhe të brendshmen, të fshehtën dhe të dukshmen, si dhe fillimin dhe mbarimin e çdo gjëje.

Kjo dituri është një prej cilësive të Tij të përsosura dhe lidhet me emrat e Tij të bukur: El-Alim (i Gjithëdituri), El-Habir (i Gjithinformuari) dhe Alimul-Gajbi uesh-Shehadeti (Njohësi i së fshehtës dhe së dukshmes). (2)

Argumentet nga Kurani

1. Allahu i Lartësuar thotë:

“Ai është Allahu! Përveç të Cilit nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë. I Gjithëdituri i të fshehtës dhe të dukshmes.” (El-Hashr, 22)

2. Allahu i Lartësuar thotë:

“Tek Ai janë çelësat e të fshehtës; askush nuk i di ato, përveç Tij. Ai e di ç'ka në tokë dhe në det; asnjë gjeth nuk bie pa dijeninë e Tij. Nuk ka asnjë kokërr në errësirën e tokës, as të njomë e as të thatë, që të mos jetë e shënuar në Librin e Qartë (Levhi Mahfudh).”

El-En'am, 59

3. Allahu i Lartësuar thotë:

“(Kështu është bërë) që ju të dini se Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë dhe se dituria e Tij përfshin gjithçka.” (Et-Talak, 12)

4. Allahu i Lartësuar thotë:

“(Përmend) kur Zoti yt u tha engjëjve: ‘Unë do të krijoj në Tokë një mëkëmbës (që do të zbatojë urdhrat e Zotit).’ Ata thanë: ‘A do të vendosësh atje dikë që do të bëjë çrregullime dhe do të derdhë gjak, ndërkohë që ne të madhërojmë, të lavdërojmë dhe të lartësojmë siç të takon Ty?’

Ai tha: ‘Unë di atë që ju nuk e dini.’” (El-Bekare, 30)

Muxhahidi thotë:

“Allahu e ka ditur se Iblisi do të mëkatojë dhe e ka krijuar atë për atë (sprovë/mëkat).” (3)

Katadeja thotë:

“Në diturinë e Allahut ishte e paracaktuar që nga këto krijesa (njerëzit) padyshim do të ketë lajmëtarë dhe të dërguar, si dhe popuj vepërmirë, banorë të Xhenetit.” (4)

Argumentet nga Suneti

1. Hadithi i Imran ibn Husajnit, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili transmeton:

Një njeri pyeti:

“O i Dërguari i Allahut! A dihen tashmë banorët e Xhenetit dhe banorët e Zjarrit?”

Ai ﷺ tha: “Po.”

Pyetësi tha: “Atëherë, përse të veprojnë njerëzit?”

Ai ﷺ u përgjigj:

“Secili do të veprojë për atë për të cilën është krijuar, ose për atë që i është lehtësuar.” (5)

2. Hadithi i Ibn Abasit, Allahu qoftë i kënaqur me të dy, i cili transmeton:

Pejgamberi ﷺ u pyet lidhur me fëmijët e idhujtarëve që vdesin para moshës së përgjegjësisë dhe u përgjigj:

“Allahu e di më së miri se si do të vepronin (sikur të jetonin).” (6)

3. Hadithi i Aliut, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili transmeton:

Një ditë, i Dërguari i Allahut ﷺ ishte ulur dhe mbante në dorë një degë druri, me të cilën rrëmonte në tokë. Pastaj ngriti kokën dhe tha:

“Për secilin prej jush është i ditur vendi i tij: në Xhenet ose në Zjarr.”

Sahabët thanë: “O i Dërguari i Allahut! A të mbështetemi atëherë vetëm në këtë?”

Ai ﷺ tha:

“Jo! Përkundrazi, veproni! Sepse secilit i lehtësohet rruga për atë për të cilën është krijuar.”

Pastaj lexoi ajetet:

“Sa për atë që jep (për hir të Allahut), frikësohet (prej Tij) dhe pohon të vërtetën e më të bukurës…”

Deri te fjala:

“Ne do t'ia lehtësojmë atij rrugën drejt shpëtimit.”

El-Lejl, 1–7

(7)

Shkalla e dytë: Shkrimi

Kjo shkallë nënkupton besimin se Allahu i Lartësuar i ka shkruar në Levhi Mahfudh (Librin e Ruajtur) të gjitha paracaktimet e krijesave. Çdo gjë që ndodh në ekzistencë, Allahu e ka ditur dhe e ka shënuar para se të ndodhte. (8)

Argumentet nga Kurani

1. Allahu i Lartësuar thotë:

“Ne shënuam në Zebur, pas Dhikrit, se Tokën do ta trashëgojnë robërit e Mi të mirë.” (El-Enbija, 105)

Ibnul Kajjimi thotë:

“Në këtë ajet, me fjalën ‘Zebur’ përfshihen të gjithë librat e zbritur nga Allahu prej qiellit dhe nuk synohet vetëm Zeburi i Davudit. Ndërsa me përmendjen e ‘Dhikrit’ synohet Ummul Kitabi, Libri kryesor që gjendet tek Allahu.

Me ‘Tokën’ në këtë ajet synohet jeta në këtë botë, ndërsa ‘robërit e mirë’ janë umeti i Muhamedit ﷺ.

Ky është mendimi më i saktë ndër mendimet që janë thënë lidhur me këtë ajet.” (9)

2. Allahu i Lartësuar thotë:

“Sigurisht, Ne i ringjallim të vdekurit dhe shënojmë veprat që kanë bërë dhe gjurmët e (punëve të) tyre. Ne e kemi përmbledhur çdo gjë në një Libër të qartë.”

Jasin, 12

Ibnul Kajjimi thotë:

“Këtu Allahu ka bashkuar mes dy librave:

Libri i parë është ai që u ka paraprirë veprave të tyre, që para se ata të ekzistonin.

Libri i dytë është ai që i shoqëron veprat e tyre gjatë jetës.” (10)

Ndërsa fjala e Allahut: “Ne e kemi përmbledhur çdo gjë në një Libër të qartë”, i referohet Levhi Mahfudhit, Librit kryesor ku është shënuar çdo gjë para se robërit ta veprojnë atë. (11)

3. Allahu i Lartësuar thotë:

“A nuk e di ti se Allahu di çdo gjë që është në qiej dhe në Tokë? Të gjitha këto janë të shënuara në Libër. Me të vërtetë, kjo është e lehtë për Allahun.” (El-Haxh, 70)

Ibn Kethiri thotë:

“Ky ajet tregon për përsosmërinë e diturisë së Allahut mbi të gjitha krijesat e Tij dhe se Ai ka përfshirë me diturinë e Tij çdo gjë që është në qiej dhe në Tokë. Vërtet, Allahu e ka ditur krijimin e tyre para se të ekzistonin dhe i ka shkruar ato në Levhi Mahfudh.” (12)

Argumentet nga Suneti

1. Hadithi i Abdullah ibn Amër ibn El-Asit, Allahu qoftë i kënaqur me të dy, i cili thotë:

“E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të thotë:

‘Allahu ka shënuar paracaktimet e krijesave pesëdhjetë mijë vjet para se të krijonte qiejt dhe Tokën.’

Ai ﷺ tha gjithashtu: ‘Arshi (Froni) i Tij ishte mbi ujë.’”

(13)

2. Hadithi i Imran ibn Husajnit, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili transmeton nga Pejgamberi ﷺ:

“Allahu ka qenë dhe asgjë nuk ka qenë para Tij. Arshi i Tij ishte mbi ujë. Pastaj Allahu ka krijuar qiejt dhe Tokën dhe ka shënuar në Përkujtuesin (Levhi Mahfudh) çdo gjë.” (14)

Pesë llojet e përcaktimit

Në besimin për shkrimin e paracaktimeve përfshihen pesë lloje përcaktimesh.

1. Përcaktimi i hershëm (ezelij)

Ky është përcaktimi që ka ndodhur pesëdhjetë mijë vjet para se të krijoheshin qiejt dhe Toka, kur Allahu e krijoi lapsin.

Argument për këtë është fjala e Allahut:

“Ne e kemi përmbledhur çdo gjë në një Libër të qartë.” (Jasin, 12)

Argument janë edhe hadithet e përmendura më lart nga Imran ibn Husajni dhe Abdullah ibn Amër ibn El-Asi, Allahu qoftë i kënaqur me ta.

2. Përcaktimi në momentin e marrjes së besës (el-mithak)

Ky është përcaktimi që ndodhi kur Allahu nxori pasardhësit e bijve të Ademit nga kurrizi i tyre dhe i bëri të dëshmojnë ndaj vetes së tyre.

Argument është fjala e Allahut:

“Kur Zoti yt nxori nga kurrizi i bijve të Ademit pasardhësit e tyre dhe i bëri të dëshmojnë ndaj vetes së tyre, u tha: ‘A nuk jam Unë Zoti juaj?’ Ata thanë: ‘Po, dëshmojmë se Ti je.’ Kështu bëri Ai, në mënyrë që ju (o njerëz) të mos thoni në Ditën e Gjykimit: ‘Këtë nuk e kishim ditur.’” (El-A'raf, 172)

3. Përcaktimi jetësor (individual)

Ky përcaktim ndodh gjatë krijimit të njeriut në barkun e nënës, kur shënohen gjinia e tij, furnizimi, afati i jetës, veprat dhe nëse do të jetë i lumtur apo i pikëlluar.

Argument për këtë është hadithi i Abdullah ibn Mesudit, Allahu qoftë i kënaqur me të, ku Pejgamberi ﷺ thotë:

“Vërtet, krijimi i secilit prej jush formohet në barkun e nënës së tij për dyzet ditë. Pastaj, për një periudhë po aq të gjatë, bëhet një droçkë gjaku (alak), e më pas, për një periudhë tjetër po aq të gjatë, bëhet një copëz mishi (mudga).

Pastaj Allahu dërgon një engjëll, i cili urdhërohet të shkruajë katër gjëra: veprat e tij, furnizimin e tij, afatin e jetës dhe nëse do të jetë i lumtur apo i pikëlluar…”

(15)

4. Përcaktimi vjetor (në Natën e Kadrit)

Në Natën e Kadrit përcaktohet çdo gjë që do të ndodhë gjatë një viti.

Argument është fjala e Allahut:

“Ne e zbritëm Kuranin në një natë të bekuar… Në atë natë vendoset çdo çështje me urtësi.” (Ed-Duhan, 3–4)

5. Përcaktimi ditor

Ky është zbatimi i hollësishëm i përcaktimeve sipas kohës për të cilën ato janë caktuar më herët.

Argument është fjala e Allahut:

“Dhe Ai në çdo ditë është në veprim (ushtron pushtetin e Tij të plotë).” (Er-Rrahman, 29)

Ndërlidhja mes pesë llojeve të përcaktimit

Këto përcaktime janë të ndërlidhura: përcaktimi ditor është hollësim i atij vjetor; përcaktimi vjetor është hollësim i atij jetësor; përcaktimi jetësor është hollësim i përcaktimit të marrjes së besës, ndërsa ky i fundit është hollësim i përcaktimit të hershëm (ezelij) në Levhi Mahfudh.

Shkalla e tretë: Dëshira dhe vullneti i Allahut

Kjo shkallë nënkupton besimin se çdo gjë që Allahu dëshiron, ndodh, ndërsa ajo që Ai nuk dëshiron, nuk ndodh.

Gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë, qoftë në lëvizje apo në qetësi, ndodh vetëm me dëshirën dhe vullnetin e Allahut të Lartësuar, i Cili është i përsosur dhe i pastër nga çdo e metë.

Prandaj, në pushtetin dhe mbretërimin e Tij nuk ndodh asgjë jashtë vullnetit të Tij. (16)

Argumentet nga Kurani

1. Allahu i Lartësuar thotë:

“Vërtet, urdhri i Tij, kur Ai dëshiron diçka, është vetëm t'i thotë asaj: ‘Bëhu!’ – dhe ajo bëhet.” (Jasin, 82)

2. Allahu i Lartësuar thotë:

“Sikur të donte Zoti yt, do të besonin të gjithë ata që gjenden në Tokë.” (Junus, 99)

3. Allahu i Lartësuar thotë:

“Atë që Allahu dëshiron ta udhëzojë, ia hap gjoksin e tij për (ta pranuar) Islamin; ndërsa atë që dëshiron ta devijojë (me drejtësi), ia shtrëngon gjoksin, sikur të ishte duke u ngjitur në qiell.” (El-En'am, 125)

4. Allahu i Lartësuar thotë:

“(Ky Kuran është këshillë) për secilin prej jush që dëshiron të ndjekë rrugën e drejtë. Por ju nuk mund të dëshironi, përveç asaj që dëshiron Allahu, Zoti i botëve.”

Et-Tekvir, 28–29

5. Allahu i Lartësuar thotë:

“Sikur të donte Allahu, ata nuk do të vriteshin me njëri-tjetrin, por Allahu bën çfarë të dojë.” (El-Bekare, 253)

6. Allahu i Lartësuar thotë:

“Thuaj (o Muhamed): ‘O Allah, Zotërues i gjithë pushtetit! Ti ia jep pushtetin kujt të duash dhe ia heq kujt të duash; Ti lartëson kë të duash dhe poshtëron kë të duash. Çdo e mirë është në Dorën Tënde. Vërtet, Ti je i Plotfuqishëm për çdo gjë.’” (Ali Imran, 26)

Argumentet nga Suneti

1. Hadithi i Ebu Hurejrës, Allahu qoftë i kënaqur me të, se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

“Të mos thotë askush prej jush: ‘O Allahu im, më fal nëse dëshiron! Më mëshiro nëse dëshiron! Më furnizo nëse dëshiron!’

Le të jetë i vendosur në kërkesën (lutjen) e tij. Vërtet, Allahu vepron çfarë dëshiron dhe nuk ka askënd që ta detyrojë Atë.” (17)

2. Hadithi i Abdullah ibn Amër ibn El-Asit, Allahu qoftë i kënaqur me të dy, i cili e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë:

“Vërtet, zemrat e bijve të Ademit janë mes dy Gishtave prej Gishtave të të Gjithëmëshirshmit; ato janë si një zemër e vetme, të cilën Ai e rrotullon si të dojë.”

Pastaj i Dërguari i Allahut ﷺ tha:

“O Allahu im, Drejtues i zemrave, orientoji zemrat tona në nënshtrueshmëri ndaj Teje.”

(18)

Shkalla e katërt: Krijimi dhe formimi

Kjo shkallë nënkupton besimin se Allahu i Lartësuar është Krijuesi i çdo gjëje.

Ai është Krijuesi i çdo vepruesi dhe i veprës së tij, i çdo lëvizësi dhe i lëvizjes së tij, i çdo gjëje të palëvizshme dhe i qetësisë së saj.

Nuk ka asnjë grimcë në qiej dhe në Tokë, veçse Allahu i Madhërishëm është Krijuesi i saj, si dhe i lëvizjes dhe qetësisë së saj.

Argumentet nga Kurani

1. Allahu i Lartësuar thotë:

“Allahu është Ai që ju ka krijuar juve dhe gjithçka që bëni!”

Es-Saffat, 96

2. Allahu i Lartësuar thotë:

“Allahu është Krijuesi i çdo gjëje dhe Ai është Mbikëqyrës i çdo gjëje.” (Ez-Zumer, 62)

3. Allahu i Lartësuar thotë:

“Ky është Allahu, Zoti juaj. Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Tij, Krijuesit të çdo gjëje; andaj adhuroni vetëm Atë! Ai është Mbikëqyrës i çdo gjëje!” (El-En'am, 102)

Argumentet nga Suneti

1. Hadithi i Mugire ibn Shu'bes, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili ka thënë:

“E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ të thotë pas përfundimit të namazit:

‘Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut! Ai është Një i Vetëm dhe nuk ka ortak. O Allahu im! Nuk ka askush që mund të ndalojë atë që Ti dhuron, e as nuk ka dhurues për atë që Ti ndalon. Tek Ti nuk ka vlerë dobia e askujt, sepse çdo dobi vjen vetëm nga Ti.’”

Këtë hadith e ka transmetuar Buhariu në Sahihun e tij dhe e ka shënuar në Librin e Kaderit.

Ibn Battali, në komentin e këtij hadithi, thotë se qëllimi i tij është pohimi dhe vërtetimi se Allahu i Lartësuar është Krijuesi i të gjitha veprave të robërve. (19)

2. Hadithi i Hudhejfës, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

“Vërtet, Allahu është Krijuesi i çdo vepruesi dhe i asaj që bën ai.” (20)

Argumentet nga Kurani dhe Suneti për këtë shkallë janë të shumta dhe është e vështirë të përmblidhen të gjitha. Gjithashtu, mendja e shëndoshë dhe natyrshmëria e pastër dëshmojnë për këtë të vërtetë.

Imam Ibnul Kajjimi, duke pohuar këtë shkallë, thotë:

“Në lidhje me këtë çështje ka pajtim mes të dërguarve, paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi ta. Po ashtu, me këtë pajtohen të gjithë Librat Hyjnorë, si edhe natyrshmëria dhe mendja.” (21)

Vazhdon...

Fusnotat dhe referencat

(1) Shifa El-Alil, 1/91.

(2) Mearixh El-Kabul, 3/920.

(3) Taberiu, 1/250; Lalekai, 2/546, nr. 959.

(4) Taberiu, 1/250.

(5) Buhariu, f. 1199, nr. 6596; Muslimi, 4/2041, nr. 2649.

(6) Buhariu, f. 1199, nr. 6597; Muslimi, 4/2049, nr. 2660.

(7) Buhariu, f. 1200, nr. 6605; Muslimi, 4/2040, nr. 2647.

(8) Sherh El-Vasitijeh, f. 126.

(9) Shifa El-Alil, 1/115.

(10) Shifa El-Alil, 1/116.

(11) Shifa El-Alil, 1/117.

(12) Tefsiru Ibn Kethir, f. 996.

(13) Muslimi, 4/2044, nr. 2653.

(14) Buhariu, f. 591, nr. 3208; Muslimi, 4/2036, nr. 2643.

(15) Buhariu, f. 1351, nr. 7477; Muslimi, 4/2063, nr. 2679.

(16) Mearixh El-Kabul, 3/940.

(17) Buhariu, f. 1202, nr. 6615.

(18) Muslimi, 4/2045, nr. 2654.

(19) Sherh Sahih El-Buhari, 10/321, Ibn Battali.

(20) Hakimi, 1/85, nr. 86; Albani, Silsiletu Es-Sahihah, nr. 1637.

(21) Shifa El-Alil, 1/145.

Madhësia e tekstit