
4 tetor 2026
BESIMI I EHLI SUNNETIT NË KADER (Hulumtimi i parë)
Prof. Dr. Ibrahim bin Amir Er-Ruhejli
Ky hulumtim trajton kuptimin e kadasë dhe kaderit, lidhjen mes tyre dhe dallimin në përdorimin e secilit term. Po ashtu, sqarohet se besimi në kader është një prej gjashtë shtyllave të imanit dhe argumentohet obligueshmëria e tij me dëshmi nga Kur’ani, Sunneti dhe konsensusi i dijetarëve. Në të theksohet se Allahu i ka ditur dhe i ka shkruar të gjitha gjërat para se ato të ndodhin dhe se çdo gjë realizohet sipas paracaktimit dhe vullnetit të Tij. Njëkohësisht, njeriu mbetet përgjegjës për veprat e tij dhe nuk mund ta përdorë kaderin si arsyetim për lënien e obligimeve apo kryerjen e ndalesave.
Hulumtimi i parë
Përkufizimi i ”kadas” dhe ”kaderit”, obligueshmëria e besimit në to, si dhe argumentet nga Kur’ani dhe Sunneti.
****
Fjala “kadá” nga aspekti gjuhësor do të thotë: të ndash një çështje, të gjykosh dhe të japësh një vendim përfundimtar.
Personi që ushtron këtë funksion quhet kadí (gjykatës), sepse ai është ai që ndan e gjykon çështjet dhe jep vendime.
Kjo fjalë gjithashtu ka edhe kuptime të tjera, si: ekzekutoj, vulos, urdhëroj, përmbush, ju bëj me dije, etj. [1]
Ibën Farisi thotë: “Shkronjat kaf dhe dad (në fjalën ‘kadá’) përbëjnë një rrënjë me bazë të qëndrueshme, e cila tregon për forcimin e një çështjeje, përsosjen e saj, si dhe për zbatimin dhe realizimin e qëllimit të saj.” [2]
Ez-Zuhriu thotë: “Fjala el-kadá, në aspektin gjuhësor, është përdorur me disa kuptime, të cilat të gjitha kthehen në një domethënie themelore: përmbyllja e një çështjeje përmes përsosjes dhe plotësimit të saj. Kjo përfshin çdo rast ku veprimi është forcuar, përsosur, përmbushur, bërë obligim apo është bërë i ditur dhe i realizuar. Të gjitha këto kuptime aludojnë në përfundimin dhe mbylljen përfundimtare të asaj çështjeje.” [3]
Ragib el-Esfahani thotë: “Fjala el-kadá ka kuptimin e ndarjes së një çështjeje, qoftë me fjalë apo me vepër, dhe secila prej tyre paraqitet në dy aspekte: atë hyjnor dhe atë njerëzor.”
Për sa i përket fjalës së Allahut të Lartësuar, Ai thotë: “Zoti yt ka bërë (kadá) që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Tij.” (El-Isra, 23) Këtu, fjala kadá ka ardhur me kuptimin: ka urdhëruar për këtë çështje.
Po ashtu, Allahu i Lartësuar thotë: “Ne ua bëmë të ditur (kadájna) në Libër bijve të Israilit: Ju do të bëni dy herë ngatërresa në tokë.” (El-Isra, 4) Pra, fjala kadájna këtu ka kuptimin: ua bëmë të ditur vendimin.
Ndërsa për sa i përket veprimit të Allahut të Lartësuar, aludohet në Fjalën e Tij: “Allahu gjykon drejt, ndërsa ata që i adhuroni përveç Tij, nuk gjykojnë asgjë.” (Kur’an, El-Mu’min, 20) Në komentimin e këtij ajeti, Ibën Kethiri thotë: “Fjala jakdí (gjykon) do të thotë: Allahu gjykon me drejtësi.” [4]
Po ashtu, “Ai krijoi shtatë qiej në dy periudha kohore.” (Fussilet, 12) Fjala "fe-kadahunne" në këtë ajet ka ardhur me kuptimin: i krijoi ato.
Ndërsa sa i përket fjalës njerëzore, ajo është si në shprehjen: Ka gjykuar (kadá) gjykatësi. Pra, kur gjykatësi merr një vendim, ai ndodh përmes fjalës. [5]
E për veprimin njerëzor, dëshmon ajeti: “Pasi t’i kryeni ritet e haxhillëkut...” (El-Bekare, 200)
Po ashtu edhe ajeti: “E pasi që Zejdi bashkëjetoi me gruan e vet dhe u nda prej saj, Ne ta dhamë për bashkëshorte, në mënyrë që besimtarët të mos ngurrojnë të martohen me gratë e të birësuarve të tyre, kur ata heqin dorë prej tyre.” (El-Ahzab, 37). [6]
Termi: Kader, gjuhësisht, ka kuptimin përcaktim, rregullim.
**** El-Lejth ka thënë: “Kader ka kuptimin: vendim i qëlluar. Thuhet: Allahu e ka paracaktuar këtë gjë duke e rregulluar. Kështu quhet kur një gjë përputhet dhe përshtatet me një gjë tjetër”. [7]
Ndërsa termi kader në terminologjinë legjislative fetare ka kuptimin e asaj që Allahu ka paracaktuar në pafillimësi që të ndodhë. Kjo bazohet në diturinë e Tij të hershme, e cila i ka paraprirë gjërave para ekzistencës së tyre, si dhe në shkrimin e Tij për këto gjëra para se ato të krijohen.
Ndërsa nocioni Kada në terminologjinë e legjislacionit (fetar) do të thotë: ajo që ka vendosur Allahu për krijesat e Tij në lidhje me krijimin/ekzistencën e tyre, shkatërrimin apo ndryshimin e tyre. [8]
Termat Kada dhe Kader kanë lidhshmëri mes vete, si dhe njëri term ka qasje në kuptimin e tjetrit në disa vende ku përmenden në tekste hyjnore apo në fjalët e dijetarëve.
Ibën Ethiri thotë: “Kadaja dhe kaderi janë dy terma të lidhur mes vete dhe nuk ndahen nga njëra-tjetra, ngase njëra prej tyre është në pozitën e bazës, e që është kaderi, kurse kadaja në pozitën e ndërtesës. Kushdo që bën ndarje mes tyre, ai vetëm se ka bërë shkatërrim dhe rrënim të ndërtesës”.[9]
Dijetari, Ibën Uthejmin, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Kadaja dhe kaderi janë të ndara kur përmenden së bashku dhe janë sinonime të njëra-tjetrës kur përmenden veçmas. Kjo është në përputhje me fjalën e dijetarëve që thonë: "Janë dy fjalë që, kur përmenden bashkë, ndahen, dhe kur përmenden veçmas, bashkohen."
Pra, nëse thuhet: "Ky është paracaktimi (kaderi) i Allahut", atëherë kjo përfshin edhe termin kada. E nëse përmenden të dyja, secila ka domethënie dhe kuptim të veçantë.
Andaj, kaderi është ajo që Allahu i Lartësuar ka paracaktuar në pafillimësi për të ndodhur tek krijesat e Tij, ndërsa kadaja është ajo që Allahu ka vendosur për krijesat e Tij në lidhje me krijimin/ekzistencën e tyre, shkatërrimin apo ndryshimin e tyre”. [10]
Sa i përket çështjes se kush i paraprin: kadaja apo kaderi, në këtë ka mospajtim. Disa prej dijetarëve vërtetues kanë deklaruar se kaderi i paraprin kadas. Këtë e thotë Ebu Hatim Er-Razi, mendimin e të cilit e kanë përkrahur edhe disa dijetarë bashkëkohorë.
Dijetari, Muhamed El-Emani, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Kadaja dhe kaderi i ngjajnë pozitës së rrobës, ku rrobaqepësi e paracakton (se si do ta projektojë rrobën), andaj, para se të bëjë detajizimin, e paracakton atë: shton, zgjeron, ngushton, e pastaj kur ta detajojë, ai më pas e ekzekuton (atë që ka paracaktuar), ku më tej nuk mund të shtojë apo të pakësojë. Kështu është edhe shembulli i kadas dhe i kaderit”. [11]
Së dyti: Obligueshmëria e besimit në kader dhe argumentet për të prej Kur’anit dhe Sunnetit
Besimi në kader është obligim dhe njëra prej gjashtë shtyllave të imanit, ashtu siç na ka informuar për këtë Pejgamberi, paqja, bekimi dhe shpëtimi i Allahut qoftë mbi të, në hadithin e Xhibrilit, kur ky e pyeti atë për imanin. Ai u përgjigj: “Të besosh në Allahun, në melaikët, librat dhe të dërguarit e Tij, në Jetën e amshuar dhe të besosh në kaderin, të mirën dhe të keqen e tij.”[12]
Për këtë, faktet nga Kur’ani, Sunneti dhe ixhmaja (konsensusi) argumentojnë mbi obligueshmërinë e besimit në kader.
Argumentet nga Kur’ani:
1.Fjala e Allahut të Lartësuar: “Vërtetë, Ne çdo gjë e kemi krijuar me masë të paracaktuar.” (El-Kamer, 49)
Ibën Kethiri, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Me këtë ajet të nderuar janë argumentuar dijetarët prijës të sunnetit për pohimin dhe vërtetimin e kaderit të Allahut, i cili i ka paraprirë krijimit të krijesave të Tij. Ky (paracaktim) është dituria e Tij për gjërat para se ato të ndodhin, si dhe shkrimi (i paracaktimeve) për krijesat para se ato të krijohen”. [13]
2. Fjala e të Lartësuarit: “I Cili ka krijuar çdo gjë dhe e ka rregulluar si duhet!” (El-Furkan, 2)
Fjala takdir në ajet ka ardhur me kuptimin e rregullimit, sistemimit të gjërave dhe ndreqjes. Ibën Xheriri thotë, në lidhje me kuptimin e fjalës së Allahut: “dhe e ka rregulluar si duhet!” — “Ka rregulluar çdo krijesë dhe i ka dhënë asaj atë që i përshtatet; andaj nuk ka as të meta, as mospërputhje”. [14]
Kjo nuk duhet të të shkaktojë hutij lidhur me atë që u potencua më lart, se kaderi i paraprin kadas, dhe të thuhet se në ajet krijimi i ka paraprirë kaderit dhe se kjo argumenton se kadaja i paraprin (kaderit).
Dijetari Ibën Uthejmin, Allahu e mëshiroftë, ka thënë, kur është përgjigjur mbi këtë çështje: “Kjo është, ose për shkak të renditjes në aspektin përkujtues e jo në aspektin kuptimor… Ose mund të themi se fjala takdir në këtë ajet ka ardhur me kuptimin e tasvijeh — pra: rregullimit, sistemimit apo ndreqjes së gjërave — që do të thotë: krijimi i krijesave të Tij ka ndodhur sipas një rregullimi të përsosur, ashtu siç thotë i Lartësuari: “që ka krijuar çdo gjë dhe e ka përsosur.”( El-A’la, 2). Andaj, fjala takdir këtu është në kuptimin e tasvijeh”. [15]
3. Fjala e Allahut të Madhërishëm: “Urdhri i Allahut është vendim i detyruar të ndodhë.” (El-Ahzab,38).
Ibën Kethiri thotë: “D.m.th., urdhri i Tij, të cilin e ka paracaktuar, do të ndodhë sigurisht dhe pa dyshim. Ajo gjë do të jetë një realitet i pashmangshëm dhe i pandryshueshëm. Çfarë Ai dëshiron, bëhet, e çfarë nuk dëshiron, nuk realizohet”. [16]
4. Fjala e të Lartësuarit: “I Cili ka krijuar gjithçka dhe e ka përsosur; që ka caktuar fatin (kaderin) e çdo gjëje dhe ia ka treguar rrugën.” (El-A’la, 2-3).
Es-Seadij, duke komentuar këtë ajet, thotë: “Ai i Cili ka paracaktuar kaderin, dhe me të përputhen të gjitha fatet; sipas tij orienton të gjitha krijesat”. [17]
Argumentet prej Sunnetit:
1. Hadithi i Xhibrilit, të cilin e potencuam më lart, ku thuhet: “Dhe të besosh në kaderin, të mirën dhe të keqen e tij.”[18]
2. Ajo që ka transmetuar Muslimi në Sahihun e tij nga Tavusi, i cili thotë: Kam takuar njerëz prej shokëve të Dërguarit të Allahut, paqja, bekimi dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, të cilët thonin: “Çdo gjë ndodh me kader.” Thotë: E kam dëgjuar Abdullah ibën Umerin të thotë: “Çdo gjë ndodh me kader, sa që (me kader ndodh) edhe pafuqia dhe shkathtësia, apo shkathtësia dhe pafuqia.”[19]
Neveviu, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Është e mundur që fjala El-Axhzu në këtë hadith të ketë kuptimin sipas mënyrës së shprehur tekstualisht, e që domethënia është: mohimi i fuqisë. Thuhet se kuptimi është: lënia e asaj çfarë obligohet të veprohet. Kurse fjala El-Kej-jisu është e kundërta e El-Axhzit, e që nënkupton: shkathtësinë, shfaqjen e energjisë, gjallërisë dhe zgjuarsisë mbi gjërat. Kuptimi i kësaj është: të pafuqishmit i është paracaktuar pafuqia e tij, kurse të shkathurit i është paracaktuar shkathtësia e tij”. [20]
3. Hadithi i Abdullah ibën Amër ibnu El-As, qoftë kënaqësia e Allahut mbi të dy, i cili thotë: E kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut, paqja, bekimi dhe shpëtimi i Zotit qoftë mbi të, duke thënë: “Allahu i ka shënuar paracaktimet e krijesave pesëdhjetëmijë vjet para se t’i krijonte qiejt dhe tokën.” Dhe ai tha: “Kurse Arshi i Tij ishte mbi ujë.” [21]
4. Hadithi i Surakah ibën Malikut, i cili ka thënë: O i Dërguari i Allahut! Na sqaro neve fenë tonë: Sikur krijuar tani (dhe nuk dime asgjë)? Si jemi duke vepruar sot? Sipas asaj që tashmë është tharë ngjyra e lapsave dhe është vendosur në paracaktime? Apo sipas asaj që presim të fillojmë? Tha: “Përkundrazi! Do të jetë sipas asaj që është tharë ngjyra e lapsave dhe është vendosur në paracaktime.” Ai pyeti përsëri: Atëherë për çfarë të mundohemi që të veprojmë? Tha: “Punoni! Sepse secilit do t’i lehtësohet (veprimi sipas asaj që i është paracaktuar).” [22]
Hadithet që pohojnë kaderin, diturinë e Allahut mbi gjërat para se ato të krijohen, si dhe shënimin e Tij për to, janë të shumta, sa që disa dijetarë kanë shkruar libra të veçantë enkas për t’i bashkuar të gjitha ato hadithe. [23]
Argumenti i Ixhmas (Konsensusit)
Është arritur konsensusi (ixhmaja) i të parëve (selefëve) dhe i atyre që kanë ardhur pas tyre prej dijetarëve vërtetues, mbi obligueshmërinë e besimit në kader, në të mirën dhe të keqen e tij, ashtu siç e kanë transmetuar këtë më shumë se një prej dijetarëve vërtetues.
Imam Neveviu thotë: “Argumentet e prera janë grumbulluar prej Kur’anit, Sunnetit dhe konsensusit të sahabëve, si dhe prej dijetarëve të mëdhenj, udhëheqës dhe kompetentë nga të parët (selefët) dhe të mëvonshmit (halefët), mbi pohimin dhe vërtetimin e kaderit të Allahut të Lartëmadhëruar”. [24]
Dijetari i Islamit, Ibën Tejmije thotë: “Sa i përket të parëve të umetit (selefëve) dhe dijetarëve prijës, ata janë në pajtueshmëri mbi besimin në kader; se vërtetë ndodh ajo që dëshiron Allahu, dhe ajo që nuk dëshiron Ai, nuk realizohet. Po ashtu, ata deklarojnë se Ai është Krijuesi i çdo gjëje: prej veprave të robërve dhe prej gjërave të tjera. Ata gjithashtu janë të pajtuar mbi pohimin e urdhrit dhe ndalesës së Tij, të premtimit dhe kërcënimit të Tij, dhe se nuk ka argument për askënd që të shmanget nga obligimet apo të veprojë të ndaluarën (me pretekstin e paracaktimit). Pra, ata gjithashtu janë të pajtuar se Allahu është i Gjithëurti dhe i Gjithëmëshirshmi; se vërtetë Ai është Gjykatësi më i drejtë dhe Mëshiruesi më i mëshirshëm”. [25]
Ibën Haxheri thotë: “Medh’hebi i selefëve, në tërësi dhe pa përjashtim, është se të gjitha gjërat ndodhin sipas paracaktimit të Allahut”. [26]
Vazhdon...
[1] En-Nihajeh (fq. 759) nga**** Ibnën Ethiri, Lisânul-Arab (15/186).
[2] Mu’xhemu Mekajis El-Luga (5/99).
[3] En-Nihajeh (fq. 759) të Iben Ethirit.
[4] Tefsiri i Ibën Kethirit (fq.1286).
[5] Argument nga Kurani – Allahu e din më së mirë – është fjala e Allahut : “Kështu është caktuar kjo gjë për të cilën pyetët ju.” (Jusuf, 41)
[6] Shih: El Mufredat (fq.674).
[7] Tehdhib El-Luga (3/2896).
[8] Shih: Sherh El-Vasitijeh (2/187-188) nga Ibén Uthejmini.
[9] En-Nihajeh (f.759), nga Ibén Ethiri.
[10] Sherh El-Vasitijeh (2/187-188).
[11] Edva ala Tarik Ed- Daveh (f.17) nga dijetari Muhamed Eman El-Xhami, shiko edhe Sherh El-Vasitijeh (2/188), nga Ibën Uthejmin.
[12] Transmeton Muslimi 15 (8).
[13] Tefsir Ibén Kethir (f.1415).
[14] Tefsir Et-Taberij )9/364(
[15] Sherh El-Vasitijeh )2/189(
[16] Tefsir Ibén Kethir (f.1173)
[17] Tefsir Es-Seadi (f.1283)
[18] Transmeton Muslimi 15 (8)
[19] Transmeton Muslim (f.675), (nr.2655)
[20] Sherh Sahih Muslim (16/205)
[21] Transmeton Muslimi (f. 674), (nr.2653)
[22] Transmeton Muslimi (f.673 (nr.2648)
[23] Imam Neveviu, pasi e potencon konsensusin mbi pohimin e kaderit, thotë: “Dijetarët kanë shkruar shumë në lidhje me kaderin, dhe prej librave më të mrekullueshëm, i cili posedon dobi të shumta, është libri i hafidhit dhe fakihut Ebu Bekër el-Bejhekij”, Allahu e mëshiroftë. Shih: Sherh Sahih Muslim (1/155).
[24] Sherh Sahihu Muslim (1/155).
[25] Mexhmu’ El- Fetava (8/466).
[26] Fet’h Eb-Barij (11/478).
