Shko te përmbajtja
Instituti Horizonti
BESIMI I EHLI  SUNNETIT NË KADER (Parathënie)
Akide

27 shtator 2026

BESIMI I EHLI SUNNETIT NË KADER (Parathënie)

Prof. Dr. Ibrahim bin Amir Er-Ruhejli

Ky libër trajton në mënyrë të përmbledhur besimin e Ehli Sunnetit në kader, duke sqaruar kuptimin, shkallët dhe rëndësinë e tij në besimin islam. Ai mbështetet në argumentet e Kur’anit dhe Sunnetit, si dhe në kuptimin e selefëve dhe dijetarëve të umetit. Në të trajtohen gjithashtu devijimet dhe keqkuptimet që lidhen me kaderin, me synim që besimtari ta kuptojë këtë çështje drejt, ta forcojë teuhidin e tij dhe t’i përballojë sprovat me durim, bindje dhe mendim të mirë për Allahun.

Lavdërimi dhe falënderimi i takon Allahut, Atij që ka krijuar dhe përsosur gjithçka. Ai është që ka paracaktuar çdo gjë dhe ka treguar rrugën. Nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Tij, Atij që me dijen e Vet ka përfshirë çdo gjë, dhe çdo krijesë e ka kapluar me mëshirë dhe butësi. Penat janë tharë pasiqë kanë shkruar paracaktimet që Ai ka caktuar që në pafillimësi. I Plotfuqishmi është Zotërues i vullnetit të vet, i cili zbatohet mbi atë që Ai ka përcaktuar dhe gjykuar. Urtësia e Tij manifestohet dhe realizohet si në atë që Ai e ka devijuar me drejtësi, ashtu edhe në atë që Ai e ka udhëzuar me mirësi.

Lutem për bekimin dhe shpëtimin e Allahut mbi të Dërguarin e Tij të zgjedhur, Lajmëtarin e veçuar, si dhe mbi familjen dhe shokët e tij — ata që ishin flamurtarë për njerëzit dhe fenarë ndriçues në netët e errëta — si edhe mbi këdo që ndjek rrugën profetike, duke ecur në gjurmët e tij.

Vërtet, besimi në kader është një nga shtyllat madhore të besimit, dhe imani i robit nuk mund të jetë i saktë veçse me realizimin e besimit në të, sipas asaj që dëshmon argumenti i konfirmuar nga i Besueshmi dhe i Vërtetuari (Pejgamberi) - paqja dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të. Atë e pyeti Xhibrili - paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të - rreth imanit, dhe ai u përgjigj: “Të besosh në Allahun, në melekët e Tij, në librat e Tij, në të dërguarit e Tij, në Ditën e Fundit, dhe të besosh në kaderin – të mirën dhe të keqen e tij.” [1]

Gjithashtu ka thënë: “Nuk ka besuar personi derisa të besojë në kader, në të mirën dhe të keqen e tij.” [2]

Kaderi është shtylla stabilizuese e tevhidit (njëshmërisë së Allahut), dhe nuk plotësohet tevhidi veçse me të.

 Ibn Abasi - Allahu qoftë i kënaqur me të dhe me të atin e tij - ka thënë: “Kaderi është shtylla stabilizuese e tevhidit. Kushdo që e njëson Allahun e Lartësuar dhe e mohon kaderin, përgënjeshtrimi i tij ndaj kaderit përbën rrënim të tevhidit. Ndërsa kush e njëson Allahun dhe beson në kader, ai ka kapur lidhjen e fortë.” [3]

Besimi në kader dhe pohimi i tij lë gjurmë madhështore në besimin dhe sjelljen e muslimanit. Ndër frutet e bekuara të këtij besimi janë kënaqësia e robit ndaj Zotit të tij dhe mendimi i mirë për të Lartësuarin.

E kundërta e kësaj ndodh kur ka mangësi në pohimin dhe realizimin e kaderit, ose devijim në kuptimin e tij. Kjo sjell pasoja të rrezikshme mbi fenë e muslimanit dhe mbi bindjen e tij ndaj Zotit.

Kur krijesat sillen dhe rrotullohen në botën e kaderit gjatë rrjedhës së ditëve dhe netëve – në atë që dëshirojnë e kërkojnë, por edhe në atë që urrejnë dhe ruhen prej saj – ato nuk bëjnë tjetër veçse ecin sipas asaj që Allahu ka caktuar për to që më parë. Çështjet e tyre kanë hyrë në fuqi dhe janë përcaktuar për t’u realizuar me urtësi dhe drejtësi, ashtu siç thotë Allahu i Lartëmadhëruar: “Ne ju sprovojmë me të keqen dhe me të mirën si provë, dhe tek Ne do të ktheheni.” (El-Enbija, 35).

Për këtë arsye, nevoja për njohje të saktë rreth kaderit është jashtëzakonisht e madhe, dhe përkujtimi për të është i domosdoshëm, që të përsëritet sa herë që rishfaqen përcaktimet hyjnore dhe ndryshimet e gjendjeve në jetë.

Ky libër është një përmbledhje e besimit të Ehli Sunnetit në çështjen e kaderit, i mbështetur në argumentet e Kur’anit dhe Sunnetit, si dhe i përforcuar nga kuptimi i paraardhësve të devotshëm (selefëve) dhe i dijetarëve të ummetit. Synimi është që, me lejen e Allahut, ky libër të sjellë dobi për çdo kërkues të së vërtetës në këtë temë dhe të shërbejë si mbështetje për atë që përballet me ndonjë fatkeqësi, në mënyrë që ta përballojë me durim dhe bindje gjatë kohës së sprovës.

Këtë punim e kam emërtuar: ”Studim përmbledhës mbi besimin e Ehli Sunnetit në kader”

Ky hulumtim është përmbledhur në mënyrë të shkurtër, duke u përqendruar në çështjet më të rëndësishme që lidhen me temën e kaderit. Gjithashtu, janë përmendur edhe keqkuptimet dhe devijimet e kundërshtarëve në disa prej këtyre çështjeve, me qëllim që të njihen dhe të paralajmërohet kundër tyre, në mënyrë që besimtari të ruhet dhe të kujdeset për veten. Sa shumë njerëz kanë gabuar dhe janë shmangur nga rruga e drejtë për shkak të moskuptimit të kësaj çështjeje, dhe sa shumë fantazi e ëndrra janë tretur në këtë rrugë.

Çështjet e kaderit i kam sistemuar në shtatë hulumtime, sipas renditjes së mëposhtme:

  • Hulumtimi i parë: Përkufizimi i „kadas” dhe „kaderit”, obligueshmëria e besimit në to, si dhe argumentet nga Kur’ani dhe Sunneti.
  • Hulumtimi i dytë: Shkallët e kaderit dhe argumentet për secilën prej tyre.
  • Hulumtimi i tretë: Metodologjia e Ehli Sunnetit në besimin në kader dhe krahasimi me metodologjinë e kundërshtarëve të tyre.
  • Hulumtimi i katërt: Mendimet e njerëzve lidhur me veprat në të cilat njeriu ka liri zgjedhjeje.
  • Hulumtimi i pestë: Sqarimi i së vërtetës rreth konceptit të udhëzimit dhe devijimit, si dhe qartësimi i qëndrimeve të kundërshtarëve, i ndjekur nga kritika ndaj tyre.
  • Hulumtimi i gjashtë: Ndarja e vullnetit sipas Ehli Sunnetit, sqarimi i dallimit ndërmjet dy llojeve të vullnetit , si dhe qëndrimi i kundërshtarëve në këtë çështje.
  • Hulumtimi i shtatë: Sqarimi i disa çështjeve të hollësishme rreth kaderit.

Allahu i Lartësuar është Ai të Cilit i lutemi, që ashtu siç e lehtësoi dhe ndihmoi realizimin e këtij hulumtimi, ta bëjë këtë vepër të sinqertë – vetëm për Fytyrën e Tij të Lartësuar – dhe, përmes saj, t’i sjellë dobi çdo personi që e lexon këtë punim.

Vazhdon...


[1] E transmeton Buhariu (nr. 50) dhe Muslimi (nr. 8).

[2] E transmeton Imam Ahmed në Musned (11/305, nr. 6703). Verifikuesit e Musnedit kanë thënë: Ky hadith është sahih (i saktë). E transmeton gjithashtu edhe Abdullah ibn Ahmed në “Es-Sunneh” (2/418), dhe verifikuesi i këtij libri ka gjykuar se zinxhiri i transmetuesve të këtij hadithi është hasen (i mirë). Po ashtu, këtë hadith e transmeton edhe Ibn Ebi Asim në “Es-Sunneh” (61, nr. 134), dhe dijetari i madh, shejh Albani, ka thënë: Zinxhiri i transmetuesve është hasen (i mirë).

[3] E transmeton Abdullah ibn Ahmed në “Kitab es-Sunneh” (2/422), El-Axhuriu në “Esh-Sherî‘ah” (2/876–877), dhe El-Lalikai në “Sherh I‘tikad Ehli Es-Sunneh” (2/670).

Madhësia e tekstit