
8 nëntor 2026
BESIMI I EHLI SUNNETIT NË KADER (Hulumtimi i katërt)
Prof. Dr. Ibrahim bin Amir Er-Ruhejli
Ky hulumtim trajton mendimet e katër drejtimeve teologjike rreth veprave të njeriut dhe lirisë së tij të zgjedhjes: kaderive, xheberive, esh’arive dhe Ehli Sunnetit. Përmes argumenteve nga Kurani, Sunneti dhe thënieve të dijetarëve, shqyrtohen dhe krahasohen qëndrimet e tyre. Hulumtimi sqaron besimin e Ehli Sunnetit se njeriu është veprues real, posedon vullnet dhe aftësi për të zgjedhur, ndërsa Allahu është Krijuesi i tij dhe i veprave të tij. Gjithashtu, theksohet dallimi ndërmjet veprimit dhe të vepruarës, duke sqaruar përgjegjësinë e njeriut për veprat që kryen.
HULUMTIMI I KATËRT
MENDIMET E NJERËZVE MBI VEPRAT NË TË CILAT ROBËRIT KANË LIRI ZGJEDHJE
Veprat e robërve janë dy lloje:
- Veprimet e detyruara (të pavullnetshme), si dridhja e duarve apo pulsimi i venave.
- Veprimet me zgjedhje, si veprat e devotshmërisë: namazi, sadakaja (lëmosha) dhe agjërimi; po ashtu, në këtë kategori hyjnë edhe mëkatet me llojet e tyre.
Njerëzit kanë rënë në mospajtim lidhur me llojin e dytë, duke u ndarë në katër mendime:
Mendimi i parë:
Mendimi i kaderive, të cilin e kanë përzgjedhur mu’tezilët. Ata thonë se robi ka fuqi të pavarur për veprat e tij dhe se ai zotëron një dëshirë dhe fuqi të plotë mbi to. Sipas tyre, dëshira dhe fuqia e robit janë të pavarura nga vullneti dhe fuqia e Allahut, dhe se robërit janë krijues të veprave të tyre, të cilat nuk janë krijime të Allahut. [1]
Kadiu Abdulxhebbar, i cili është prej imamëve të kaderive, thotë: “Janë pajtuar të gjithë ithtarët e drejtësisë (këtij drejtimi) se veprat e robërve, si lëvizjet, qëndrimi në këmbë dhe ulja, ndodhin prej vetë atyre, dhe se Allahu i Madhërishëm i ka aftësuar për këto, por nuk është Ai vepruesi dhe as krijuesi i tyre. Kushdo që thotë se Allahu i Lartësuar është Krijuesi dhe Shpikësi i këtyre veprave, ai, sipas tyre, ka rënë në gabim të madh. ”[2]
Ibën El-Murteda thotë: “Janë pajtuar – pra mu’tezilët – se vepra e robit nuk është krijim i Allahut.”[3]
Argumentet e tyre:
- Fjala e Allahut të Lartësuar: “FetebārekAll-llāhu ahsenul hālikīn.” Qoftë Lartësuar Allahu, Krijuesi më i përsosur (El-Muminun, 14)[4]. Ata thonë se në këtë ajet Allahu ka pohuar shumë krijues, dhe kjo, sipas tyre, tregon se robi është krijues i veprave të tij, ndërsa Allahu është më i Miri Krijues.
- Fjala e të Lartësuarit: “Si shpërblim për atë që kanë punuar”, (El-Ahkaf, 14 dhe El-Uakija, 24) dhe: “Dhe një zë do t’i thërrasë: Ky është Xheneti, i cili ju është dhënë si shpërblim për atë që keni punuar.” (El-Araf, 43) .Ata thonë se shpërblimi është lidhur me veprën, gjë që tregon se robi ka fuqi mbi veprimet e tij; për këtë arsye ai shpërblehet. Nëse nuk do të kishte fuqi mbi to, nuk do të shpërblehej.
Kritika dhe refuzimi ndaj tyre:
- Sa i përket argumentimit të tyre me fjalën e Allahut të Lartësuar: “FetebārekAll-llāhu ahsenul hālikīn” (El-Muminun, 14), kuptimi i ajetit është: më i miri prej formëdhënësve dhe përcaktuesve. Termi halk që përmendet këtu, ndër kuptimet e tij ka edhe “përcaktimin”, dhe ky është kuptimi i synuar në këtë kontekst. Argument për këtë është fjala e të Lartësuarit: “Thuaj: Allahu është Krijuesi i çdo gjëje”, (Err-Rrad, 16) që do të thotë se Ai është Krijuesi i çdo krijese, ku përfshihen edhe veprat e robërve në përgjithësimin e fjalës “kul-li” (i çdo).
Kuptimi i dytë i fjalës el-halk është: krijim dhe shpikje. [5]
Ez’heriu thotë: “Fjala halk në gjuhën arabe nënkupton shpikjen e një gjëje sipas një modeli që nuk ka pasur më parë shembull. Ndërsa Ebu Bekër El-Enbari thotë se fjala halk në arabisht ka dy kuptime:
- E para: krijimi fillestar, nga asgjëja.
- E dyta: përcaktimi.
Ai shpjegon se fjala e Allahut: “FetebārekAll-llāhu ahsenul hālikīn” ka kuptimin: “Qoftë i lartësuar Allahu, më i miri përcaktues.” Gjithashtu, fjala e të Lartësuarit: “Ve tehlukūne ifken” do të thotë: “Ju trilloni dhe shpifni gënjeshtra.”
Ez’heriu përmend se arabët thonë: “Halektu el-edīm” – që do të thotë: e kam matur dhe e kam përcaktuar lëkurën për prerje dhe përgatitje.
Poeti Zuhejri thotë:
Ti e realizon atë që e planifikon, ndërsa dikush planifikon, por nuk e realizon.
Me këtë ai e lavdëron njeriun, duke treguar se ai që përcakton diçka, e përmbush dhe e realizon, ndërsa të tjerët vetëm e planifikojnë pa e realizuar.”[6]
- Sa i përket argumentimit të tyre me ajetin: “Si shpërblim për atë që kanë punuar”, (El-Ahkaf, 14 dhe El-Uakija, 24) dhe pretendimit se shpërblimi është lidhur drejtpërdrejt me veprën, përgjigjja është si vijon:
Pjesëza “për atë” në ajet është pjesëz shkakësore, që do të thotë: për shkak të veprave të tyre. Ndërsa Allahu i Lartësuar është Krijuesi i shkaqeve dhe i të shkaktuarave. Prandaj, e gjithë çështja kthehet tek mirësia dhe mëshira e Allahut. Ky është një nga mendimet e dijetarëve në komentimin e këtij ajeti.
Sipas mendimit tjetër: hyrja në Xhenet realizohet me mëshirën e Allahut, ndërsa kategorizimi i gradave bëhet sipas veprave. Ibën Ujejne thotë: “Ata kanë kuptuar se shpëtimi nga zjarri ndodh me faljen e Allahut, hyrja në Xhenet me mirësinë e Tij, ndërsa dallimi në gradat e tij bëhet për shkak të veprave.”[7]
3. Faktimi me argumente se veprat e robërve janë të krijuara
a) Fjala e Allahut të Lartësuar: “Ndërkohë që Allahu ju ka krijuar juve dhe atë që veproni.” (Es-Saffat, 96) .Me këtë ajet, Allahu na ka njoftuar se Ai i ka krijuar krijesat dhe veprat e tyre.
b) Fjala e të Lartësuarit: “Allahu është Krijuesi i çdo gjëje.” (Err-Rrad, 16 dhe Ez-Zumer :62) Veprat e robërve hyjnë në përgjithësimin që përfshin fjala kul-li (çdo).
Sa dëm dhe devijim ka sjellë mendimi i mu’tezilëve, kur ata e kanë futur “Fjalën e Allahut” – e cila është cilësi e Tij – në këtë përgjithësim, duke pretenduar se ajo është e krijuar, ndërkohë që “veprat e robërve” i kanë nxjerrë nga ky përgjithësim, megjithëse ato janë të krijuara. [8]
c) Fjala e Allahut të Madhërishëm: “Nga ajo që ka krijuar, Allahu ka bërë për ju hije; ka bërë për ju strehë në male; ka bërë për ju rroba që ju mbrojnë nga nxehtësia dhe veshje që ju mbrojnë në luftë.” (En-Nahl, 81)
Allahu na informon se Ai ka bërë serabil (rroba dhe mburoja), të cilat janë të prodhuara. Materiali i tyre nuk quhet “serabil” derisa të përpunohet nga njerëzit. Kur kjo konsiderohet si bërje e Allahut, atëherë ajo është krijesë e Tij në tërësi: forma, materiali dhe vetë trupi i saj.
ç) Hadithi i Hudhejfes, Allahu qoftë i kënaqur me të, se Pejgamberi, paqja, bekimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Vërtet, Allahu është Krijuesi i çdo bërësi dhe i asaj që bën ai.” Në disa transmetime: “Vërtet, Allahu krijon çdo prodhues dhe prodhimin e tij.”[9]
Ky hadith tregon qartë se Allahu i Lartësuar është Krijuesi i qenieve dhe i veprave të tyre.
Buhariu, pasi e përmend këtë hadith, thotë: “Kjo tregon se veprimet dhe vepruesit e tyre janë të krijuara.”[10]
Mendimi i dytë:
Mendimi i xheberive, të cilin e mbrojnë xhehmitë. Ata thonë se njeriu nuk ka fuqi mbi veprat e tij, as dëshirë dhe as zgjedhje. Sipas tyre, njerëzit janë të detyruar në veprimet dhe lëvizjet e tyre, ashtu siç lëvizin pemët nga era, apo si dridhja e duarve dhe pulsimi i arterieve. Pra, ata janë të detyruar si në veprat e mira, ashtu edhe në mëkate, por veprimet u atribuohen atyre vetëm në mënyrë figurative.
Kjo është njësoj sikur ta lidhim diçka me vendin ku ndodh, pa e lidhur me rezultatin që rrjedh prej saj. Sipas këtij këndvështrimi, kjo është njësoj si të thuash:: “u plak dhe vdiq”, “rrjedh lugina” apo “lindi dielli”, ku veprimi i atribuohet subjektit në mënyrë metaforike, jo reale. [11]
Argumentet e tyre:
Xheberitë përpiqen ta mbështesin mendimin e tyre me disa argumente, prej të cilave:
- Fjala e Allahut të Madhëruar: “Kur gjuaje, nuk ishe ti (Muhamed) që gjuaje, por ishte Allahu Ai që gjuante.” (El-Enfal, 17). Ata thonë: Allahu ia mohoi veprimin Pejgamberit dhe ia atribuoi Vetes, gjë që, sipas tyre, tregon se njeriu nuk vepron realisht.
- Fjala e Pejgamberit ﷺ, transmetuar nga Ebu Hurejra: “Askush nga ju nuk do të hyjë në Xhenet me punën e tij.” I thanë: As ti, o i Dërguari i Allahut? Tha: “As unë, përveç nëse Allahu më përfshin me mëshirën dhe mirësinë e Tij.”[12] Ata thonë se ky hadith tregon se shpërblimi nuk është i bazuar në vepra, dhe rrjedhimisht, sipas tyre, njeriu nuk ka vepër reale. [13]
Kritika dhe refuzimi ndaj tyre:
- Sa i përket argumentimit të tyre me fjalën e të Lartësuarit: “Kur gjuaje, nuk ishe ti (Muhamed) që gjuaje, por ishte Allahu Ai që gjuante”, (El-Enfal, 17) ky ajet është argument kundër tyre. Kjo bëhet e qartë duke parë shkakun e zbritjes dhe kuptimin e tij.
Ibën Kethiri, në tefsirin e tij, transmeton nga Ibën Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të dy, se i Dërguari i
Allahut ﷺ në ditën e Bedrit ngriti duart dhe tha: “O Zot! Nëse e shkatërron këtë grup, nuk do të adhurohesh më në tokë.” Xhibrili i tha: “Merr një grusht dhe dhe hidhe drejt fytyrave të tyre.” Ai mori një grusht dhe dhe e hodhi drejt tyre, dhe nuk mbeti askush prej idhujtarëve veçse u goditën sytë, hundët dhe gojët e tyre, pastaj ata u kthyen duke ikur.
Gjithashtu transmetohet nga Muhamed ibn Ka’b el-Kuredhij se kur palët u afruan, i Dërguari ﷺ mori një grusht dhe dhe e hodhi drejt fytyrave të armiqve duke thënë: “U shëmtofshin fytyrat!” dhe dheu arriti te të gjithë ata, pastaj sahabët i mundën dhe i zunë rob…”[14]
Allahu i Madhërishëm ia pohon gjuajtjen të Dërguarit të Tij me fjalën: “Kur gjuaje”, dhe më pas ia mohon përfundimin e saj: “nuk ishe ti që gjuaje, por Allahu gjuante.” Dihet se gjuajtja ka fillim dhe përfundim: fillimi është hedhja, ndërsa përfundimi është goditja, dhe të dyja quhen gjuajtje.
Prandaj, kuptimi është: Ti (o Muhamed) e hodhe dheun, por nuk ishe ti që i godite ata – Allahu i goditi. Përndryshe, nëse ky shpjegim i xheberive merret si rregull i përgjithshëm, atëherë kështu do të kuptoheshin veprat e njeriut: Ti nuk u fale kur u fale, por Allahu u fal, apo nuk ke agjëruar kur ke agjëruar, nuk ke ngrënë kur ke ngrënë, nuk ke pirë kur ke pirë, por Allahu…
Është e qartë se goditja e një ushtrie të tërë me një grusht dheu është përtej fuqisë njerëzore, edhe pse hedhja fillestare ishte prej Pejgamberit ﷺ.
Me këtë rrëzohet pretendimi i xheberive dhe ajeti kur’anor bëhet argument në favor të metodologjisë së Ehli Sunnetit.
- Sa i përket argumentimit të tyre me hadithin: “Askush nga ju nuk do të hyjë në Xhenet me punën e tij”, duke pretenduar se shpërblimi nuk lidhet me veprën, kjo nuk është argument në favor të tyre. Kjo sepse shkronja “B” në tekstin e hadithit është “B” e kompensimit (bā’ul-‘iwad), që nënkupton shkëmbim të plotë; pra hadithi mohon që veprat të jenë çmim për hyrjen në Xhenet.
Komentuesi i Tahaviut thotë: “Në çështjen e lidhjes së shpërblimit me veprat kanë devijuar xheberitë dhe kaderitë, ndërsa Allahu e ka udhëzuar Ehli Sunnetin në të vërtetën, dhe Atij i takon lavdërimi dhe falënderimi. Shkronja “B” që vjen në mohimin është ndryshe nga ajo që vjen në pohim. Në fjalën e Pejgamberit ﷺ: “Askush nuk do të hyjë në Xhenet me veprat e tij”, “B”-ja këtu është e kompensimit, që mohon që veprat të jenë çmim për hyrjen në Xhenet, siç pretenduan mu’tezilët, duke thënë se njeriu e ka hak hyrjen në Xhenet për shkak të veprave të tij dhe se Allahu është i detyruar ta bëjë këtë. Përkundrazi, e vërteta është se Allahu e jep këtë nga mëshira dhe mirësia e Tij.
Ndërsa parafjala “bi” në fjalën e Allahut: “si shpërblim për punët e mira që kanë bërë” dhe në shprehje të ngjashme është “bi” e shkakut, që do të thotë: për shkak të veprave tuaja. Allahu është Krijuesi i shkaqeve dhe i të shkaktuarave, prandaj e gjithë çështja kthehet tek mirësia dhe mëshira e plotë e Tij. ” [15]
3. Nga faktet që tregojnë se robërit janë veprues realë dhe se posedojnë dëshirë dhe zgjedhje në veprat e tyre, nën dëshirën e Allahut të Lartësuar, përmendim:
a) Fjala e Allahut të Lartësuar: “Kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërmijë, do ta shohë atë; e kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërmijë, do ta shohë atë.” (Ez-Zelzele, 7-8)
Allahu ia atribuon veprën e mirë dhe të keqe robit, gjë që tregon se kjo është prej asaj që ai ka fituar dhe për të cilën do të shpërblehet.
b) Fjala e të Lartësuarit: “Allahu nuk e ngarkon askënd përtej fuqisë që ka: në dobi të tij është e mira që bën, kurse në dëm të tij është e keqja që punon.” (El-Bekare, 286). Këtu Allahu pohon për robin veprën dhe fitimin (kesb), i cili kthehet tek ai, qoftë në dobi apo në dëm të tij.
c) Fjala e të Madhëruarit: “Idhujtarët do të thonë: Sikur të donte Allahu, nuk do të adhuronim tjetër veç Tij, as ne dhe as baballarët tanë, dhe nuk do të ndalonim asgjë. Kështu mohonin edhe ata para tyre, derisa shijuan dënimin Tonë. Thuaju: A keni ndonjë provë që ta paraqisni? Ju ndiqni vetëm hamendje dhe jeni vetëm gënjeshtarë. Thuaju: Allahu ka argumentin më bindës dhe, po të donte Ai, do t’ju udhëzonte të gjithëve.” (El-Enam, 17).
Allahu i Madhëruar e ka mohuar dhe kundërshtuar argumentimin e idhujtarëve me kader për shirkun që bënin dhe për ndalesat që ata shpikën, dhe tha: “Kështu mohonin edhe ata para tyre”, që do të thotë se me këtë dyshim kanë devijuar ata që kanë devijuar. Ai i cilësoi si ndjekës të paragjykimeve dhe sqaroi se mbi ta janë ngritur argumente të qarta e të pakontestueshme.
Prandaj, kjo tregon se këto vepra janë prej shirkut dhe ndalesat që ata vendosën janë nga veprat e tyre, dhe për asnjërën prej tyre nuk u lejohet të arsyetohen me kader. [16]
Mendimi i treti:
Mendimi i esh’arive dhe i atyre që pajtohen me ta:
Këta thonë se veprat e robërve janë krijim i Allahut të Madhërishëm. Megjithatë, edhe pse janë krijim i Tij, ato konsiderohen si “kesb” (punë/fitim) e robërit, ndërsa njeriu posedon vetëm një fuqi jo ndikuese mbi to.
Ky mendim është kontradiktor dhe jo i qëndrueshëm logjikisht, sepse nëse fuqia nuk ka ndikim mbi veprën, atëherë ekzistenca e saj është sikur mosekzistenca dhe nuk mund të quhet fuqi reale. Po ashtu, nuk mund të konceptohet dallimi midis veprës që ata e mohojnë dhe “kesbit” që ata e pohojnë. [17]
Për këtë arsye, kundërshtarët e tyre, si mu’tezilët dhe të tjerë prej dijetarëve, janë tallur me këtë koncept duke thënë: “Tri gjëra nuk kanë realitet: lëvizja (kërcimi) e Nidhamit, gjendjet e Ebi Hashimit dhe kesbi i Esh’ariut.”[18]
Në realitet, ky mendim kthehet tek ai i xhehmive xheberistë. Dijetari i Islamit, Iben Tejjmije, thotë: “Esh’ariu nuk e pohon njeriun si veprues real, por vetëm si “fitues”, dhe nuk jep ndonjë dallim logjik mes fitimit (kesb) dhe veprimit. Në thelb, mendimi i tyre përputhet me atë të Xhehmit, i cili thotë se njeriu nuk ka fuqi, as vepër dhe as fitim.”[19]
Për këtë arsye, disa dijetarë i kanë futur esh’aritë në mesin e xheberive. Kështu, Ali El-Xhurxhani ka thënë: “Xheberitë ndahen në dy grupe:
- Të moderuarit, të cilët pohojnë për robin “fitimin/kesbin”, si esh’aritë;
- Dhe grupi i qartë xheberist, të cilët nuk e pohojnë as këtë (fitimin/kesbin), si xhehmitë.”[20]
Mendimi i katërt:
Mendimi i Ehli Sunnetit:
Ata thonë se robërit janë veprues realë të punëve të tyre, ndërsa Allahu është Krijuesi i veprave të tyre. Njeriu mund të jetë besimtar apo mohues, vepërmirë apo mëkatar, falës apo agjërues, dhe ai posedon fuqi dhe vullnet mbi veprat e tij. Por Allahu është Krijuesi i tij, si dhe i fuqisë dhe vullnetit të tij. Siç thotë Allahu i Lartësuar: “Por ju nuk mund të dëshironi, përveçse me dëshirën e Allahut, Zotit të botëve.” (Et-Tekvir, 28-29).
Mund të duket problematike për disa se si është e mundur të thuhet: veprat e njerëzve janë realisht prej tyre, ndërsa Allahu është realisht Krijuesi i tyre.
Në të vërtetë, këtu nuk ka asnjë problem për atë që e kupton saktë metodologjinë e Ehli Sunnetit. Këtë çështje e kanë sqaruar dijetarët verifikues në mënyrë të qartë dhe të plotë. Allahu i shpërbleftë për Islamin dhe për shërbimin ndaj tij me shpërblim të madh.
Imam Muhammad El-Buhari thotë: “Dijetarët kanë thënë: krijimi është veprim i Allahut, ndërsa veprat tona janë të krijuara. Argument për këtë është fjala e të Lartësuarit: “Sido që të flisni ju, fshehtas apo haptas, Ai e di mirë ç’ka në zemrat tuaja. E si të mos dijë Ai që ka krijuar gjithçka.” (El-Mulk, 13-14). Si të mos e dijë Ai që vetë ka krijuar të folurën, qoftë me zë të ulët apo me zë të lartë? Kështu që, vepra e Allahut është cilësi e Tij, ndërsa ajo që veprohet është diçka tjetër; pra, e krijuara nuk është vetë krijimi..” [21]
Dijetari i Islamit, Ibën Tejjmije thotë: “Thënia e individit “ky veprim është i këtij” apo “i atij” është shprehje e përgjithshme, sepse ndonjëherë me “veprim” synohet vetë akti, ndërsa ndonjëherë synohet atribuimi i tij (prejardhja).
Ai thotë: “E kam bërë këtë” apo “po e bëj atë”, duke e kryer realisht. Nëse me “veprim” synohet vetë veprimi si burim (masdar), si: namazi i njeriut apo agjërimi i tij, atëherë këto janë veprime reale të kryera prej tij dhe këtu bashkohet kuptimi i burimit dhe i aktit.
Ndërsa nëse synohet rezultati i veprës, si: qepja e rrobës apo ndërtimi i shtëpisë, atëherë veprimi këtu nuk është vetë “bërja” në kuptimin e krijimit…
Qëllimi këtu është: Nëse dikush thotë: këto veprime janë vepër e Allahut apo vepër e robit; nëse ka për synim se ato janë vepër e Allahut në kuptimin e bërjes (drejtpërdrejt nga Ai si veprim i Tij), atëherë kjo është një bindje e kotë, me pajtimin e muslimanëve dhe me logjikën e qartë.
Por nëse thotë: kjo është vepër e Allahut, duke synuar se është krijesë e Allahut, si çdo krijesë tjetër, atëherë kjo është e vërtetë. ”[22]
Ai (Iben Tejmijje) gjithashtu sqaron këtë çështje duke thënë: “Sa i përket atij që thotë se krijimet e Allahut të Lartësuar, të realizuara për krijesat e Tij, nuk janë vetë krijesat e Tij – ai thekson se veprat e robërve janë të krijuara, ashtu si çdo krijesë tjetër, dhe janë rezultat i veprimit të Allahut, si çdo gjë që buron nga veprat e Tij.
Megjithatë, nuk thuhet se këto të vepruara janë vetë veprim i Allahut; përkundrazi, ato janë veprime të njeriut dhe i atribuohen atij. Me këtë sqarim largohet çdo paqartësi.
Prandaj thuhet: gënjeshtra, padrejtësia dhe veprime të ngjashme të ulëta janë vepra të atij që i kryen dhe i atribuohen atij, e nuk i atribuohen Atij që i ka krijuar. Allahu nuk cilësohet me to, sepse ato janë atribute të krijesave, jo të Tij.
Po ashtu, Allahu i Lartësuar nuk cilësohet me atë që Ai ka krijuar te krijesat, si: shijet, ngjyrat, aromat, format, lëvizjet dhe të tjera. Nëse Ai ka krijuar ngjyrën e njeriut, Ai vetë nuk është i ngjyrosur. Nëse ka krijuar aromë të keqe, shije të hidhur apo forma të shëmtuara, të cilat janë të urryera dhe të qortuara, Ai nuk cilësohet me këto krijesa dhe as me veprime të neveritshme.”[23]
Ai (Iben Tejjmijje), Allahu e mëshiroftë, gjithashtu thotë: “Shumica e Ehli Sunnetit, të cilët janë pasues të selefit (të parët prej sahabëve) dhe të dijetarëve prijës, thonë se vepra e njeriut është vepër reale e tij, por ajo është e krijuar nga Allahu dhe rezultat i veprimit të Tij.
Megjithatë, ata nuk thonë se ajo është vetë vepër e Allahut; përkundrazi, bëjnë dallim ndërmjet krijimit dhe të krijuarës (krijesës), si dhe ndërmjet veprimit dhe të vepruarës.”[24]
Imam Iben Kajjimi thotë: “Ata besojnë se atë që e udhëzon Allahu, nuk ka kush ta devijojë, dhe atë që Ai e devijon me drejtësi, nuk ka kush ta udhëzojë. Vërtet, Allahu është Ai që e bën muslimanin musliman, pabesimtarin pabesimtar, namazfalësin namazli dhe atë që lëviz, të lëvizshëm.
Ata janë të pajtimit se “e vepruara” është diçka tjetër nga “veprimi”. Lëvizjet dhe bindjet e tyre janë vepra reale të tyre, por njëkohësisht janë të vepruara nga Allahu dhe të krijuara prej Tij.
Ajo që bën Zoti i Madhërishëm është me dije, fuqi, dëshirë dhe krijim, ndërsa ajo që bëjnë robërit është puna që ata kryejnë dhe fitimi i tyre (kesb), lëvizjet dhe qetësitë e tyre. Pra, ata janë realisht muslimanë, falen, ngrihen dhe ulen, ndërsa Ai, i Lartësuari, është që ua mundëson atyre të gjitha këto veprime.”[25]
Me këtë sqarohet se veprat e robërve janë krijesa të Allahut në aspektin se Ai i di ato, i ka paracaktuar, ka dashur ndodhjen e tyre dhe i ka krijuar tek vetë robi. Ndërsa ato janë vepra të robit, në kuptimin që ai i kryen drejtpërdrejt, përmes lëvizjeve dhe ndalesave që shoqërojnë realizimin e tyre.
Për këtë arsye, dijetarët kanë bërë dallimin ndërmjet veprimit dhe të vepruarës. Veprimi është punë e njeriut, por njëkohësisht është i krijuar nga Allahu i Lartësuar.
Argument për këtë është fjala e Allahut të Madhëruar: “Allahu ju ka krijuar juve dhe atë që punoni.” (Es-Saffat. 96) Pra, Ai na njofton se është Krijuesi i veprave të robërve, por nuk thotë se Ai është vepruesi i tyre; përkundrazi, na tregon se ata janë vepruesit dhe punëbërësit e tyre.
FUSNOTAT
(1) Shih: Mekalat El-Islamijjin (1/298) nga Esh’ariu, Shifa El-Alil (1/145) nga Ibën El-Kajjimi dhe Sherh Et-Tahavijeh (f.639-640) nga Ibën Ebil-Izzi.
(2) El-Mugni fi Ebvab El-Adl ue Et-Tevhid (8/3)
(3) El-Munjetu ue El-Emel (f.6)
(4) Ky ajet, sipas konceptit të kaderive, përkthehet: “Qoftë i lartësuar Allahu, më i miri prej krijuesve.” Ky është një përkthim devijues, dhe përkthime të tilla, që lënë të kuptohet se ka shumë krijues, janë vërejtur edhe në disa përkthime të Kur’anit në gjuhën shqipe. Prandaj, duhet kujdes i veçantë edhe nga ata që përkthejnë libra të besimit, që t’i analizojnë mirë përkthimet, në mënyrë që të mos paraqesin shprehje të tilla që përmbajnë devijim dhe mohim të besimit të saktë.
Kuptimi i drejtë i këtij ajeti do të bëhet i qartë përmes sqarimit dhe elaborimit akademik që ka bërë dijetari i shquar, autori i këtij libri. (Shënim i përkthyesit).
(5) Sherh Et-Tahavijeh (f.639-640) nga Ibën Ebil Izzi.
(6) Tehdhib El-Lugah (1/1093)
(7) Shih: Hadij El-Ervah (f.72-73) nga Ibën Kajjimi dhe El Mehaxhxhetu fi Sijer El-Dulxheh (f.27) nga Ibën Rexhebi.
(8) Shih: Sherh Et-Tahavijeh (f.639-640) nga Ibën Ebil Izzi.
(9) Transmeton Hakimi (1/85) (nr. 86) dhe thotë: Ky hadith është sahih sipas kushteve të Muslimit. Me këtë pajtohet edhe Dhehebiu. Ndërsa Albani, në Silsiletus-Sahihah (nr. 1637), thotë: Ky hadith është ashtu siç e kanë vlerësuar këta të dy.
(10) Halk Efal El-Ibad (f.24)
(11) Shih: El-Ferk bejne El-Firek (f.211) nga El-Bagdadij, Shifa El-Alil (1/149) nga Ibën El-Kajjimi dhe Sherh Et-Tahavijeh (f.639) nga Ibën Ebil-Izzi.
(12) E transmeton me këtë tekst Ahmedi në Musned (12/449) (nr. 7479), Buhariu (nr. 5673) dhe Muslimi (f.716) (nr. 2816).
(13) Shih: Sherh Et-Tahavijeh (f.641) nga Ibën Ebil-Izzi.
(14) Tefsiri i Iben Kethirit (f.626)
(15) Shih: Medarixhus Salikin (3/426) nga Ibënul Kajjimi, dhe Sherh el-‘Akidet et-Tahavijeh (f. 642) nga Ibën Ebil ‘Izz
(16) Tefsiri i Ibën Kethirit (f.552)
(17) Shih: Kitab En-Nubuvat (1/461, 581) nga Iben Tejjmije, si dhe *Mexhmu‘ul Fetava *(8/128, 467).
(18) Shih: *Mexhmu‘ul Fetava *(8/128).
Kesbi (puna/fitimi) i esh’arit, siç u përmend më herët, përmbledhja e tij është: pretendimi se robi nuk është veprues real dhe nuk posedon fuqi ndikuese në veprën e tij, por vetëm quhet “fitues/punes”. Shih: En-Nubuvāt (1/581) nga Ibën Tejjmije.
Ndërsa me shprehjen “gjendjet e Ebi Hashimit” synohen cilësitë kuptimore me të cilat u veçua Ebu Hashim El-Xhubbai (v. 321h) nga mu’tezilët e tjerë, të cilët në përgjithësi mohojnë cilësitë e Allahut. Ai thoshte: Allahu vazhdon të jetë i Ditur dhe i Fuqishëm. Kur i thuhej: “A ka qenë gjithmonë (Allahu) i Ditur për gjërat?”, ai përgjigjej: “Nuk them se Ai vazhdon të jetë i Ditur për gjërat.” Dhe thoshte: Ai është i Ditur me Qenien e Tij jo në mënyrë të pavarur prej saj. Shih: Mekalat El-Islamijjin (1/238) nga Ebu El-Hasen el-Eshari, El-Milel ve’n-Nihal (1/69) nga Esh-Shehristani dhe Edva ala Tarik Ed-Daveh (f. 174–175) nga Muhamad Eman El-Xhami.
Ndërsa “lëvizshmëria (kërcimi) e Nidhamit” i referohet pretendimit të Ibrahim El-Nidham se është e mundur që një trup të jetë në një vend dhe pastaj të “kërcejë” në një vend të tretë pa kaluar në të dytin. Shih: Mekalat El-Islamijjin (2/19) nga Ebu El-Hasen El-Eshari.
(19) Kitab En-Nubuvat (1/461-462)
(20) Et-Tearifat (f.106)
(21) Halk Efal El-Ibad f.108).
(22) Mexhmul-Fetava (8/121-122).
(23) Mexhmul-Fetava (8/123).
(24) Minhaxh Es-Sunneh (2/298) dhe (1/459-460).
(25) Shifa El-Alil (1/152).
